David Beckham ka zbuluar se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo figurojnë në listën e tij të dëshirave transferuese tek Inter Miami. Legjenda e Manchester United dhe Real Madrid duket i etur për të marrë yje të tilla në MLS. Ish-kapiteni i Anglisë është gati të bëjë bashkë 11 “Topa të Artë” në skuadrën që financon, me seli në Florida.
Ai tashmë ka rekrutuar lojtarë të tillë si fituesin e Kupës së Botës, Blaise Matuidi, dhe ish-sulmuesin e Juventusit, Gonzalo Higuain. Beckham, duke folur në një ngjarje tifozësh, përpara nisjes së sezonit të ri futbollistik në MLS, tha kur u pyet për interesin mbi Messi dhe Ronaldo: “Pa dyshim, ata janë lloji i lojtarëve, që aspirojmë t’i sjellim në klubin tonë. Mendoj se tifozët do ta vlerësonin vërtet këtë. Por, si pronarë, duam lojtarë që duan të fitojnë, kjo është përparësia jonë.
Me Blaise Matuidi dhe Gonzalo mendojmë se i shtojnë shkëlqimin klubit tonë. Duke ecur përpara, ne gjithashtu duam të sjellim lojtarë të tjerë të shkëlqyeshëm. Ju padyshim përmendët Leo dhe Cristiano. Ata kanë qenë në krye të futbollit botëror në 15 vitet e fundit për shkak të punës së madhe. Sir Alex Ferguson ishte një mjeshtër në këtë drejtim. Ai jo gjithmonë merrte lojtarin më të mirë në botë, por blinte lojtarin e duhur për klubin”.