Momenti i artë vazhdon për Armando Brojën. Sulmuesi i kombëtares shqiptare spikati edhe në javën e 24-t të Eredivisies duke ndihmuar Vitessen të rikthehet te fitorja pas një ecurie negative që zgjaste prej 5 takimesh.
Me një gol dhe një asist Broja ishte një nga më të mirët në fushë për Vitessen në suksesin 4-1 ndaj Venlos.
Sulmuesi shqiptar u tregua altruist në minutën e tretë. Pasi iu shkëput bukur mbrojtjes kundërshtare dhe doli i vetëm me portierin, 19-vjeçari nga Malësia e Madhe dhuroi një asist për Lois Openda, me këtë të fundit që dërgoi topin lehtësisht në rrjetë.
Goli për Brojën erdhi tetë minuta përpara fundit të ndeshjes.
Kombinime të bukura me sllovakun Bero dhe finalizim i lojtarit të talentuar shqiptar, i cili gjeti golin e nëntë sezonal me Vitesse në Eredivisie, duke vulosur edhe fitoren e skuadrës nga Arnhemi ndaj Venlos me shifrat 4-1.
Nëse vazhdon me këto ritme Broja mund të ndërrojë sërish skuadër në verë dhe nëse për të nuk do të ketë hapësira te Chelsea që është klubi që zotëron kartonin e tij, Broja pse jo mund të huazohet ose mund të shitet në tjetër skuadër të Premier League.