Qeveria spanjolle jep leje për zhvillimin e ndeshjes me Kosovën në Spanjë

Qeveria e Spanjës e ka dhënë lejen për zhvillimin e ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2022 mes Kombëtares spanjolle dhe asaj kosovare në Spanjë, duke i hedhur poshtë thashethemet se vendi i Gadishullit Iberik do të kërkojë të takohet me Kosovën në një terren neutral.

Federata e Futbollit e Spanjës e ka caktuar tashmë Stadiumin “Estadio de la Cartuja” nw Sevillë, si vendin ku do ta mirëpresë Kosovën më 31 mars për ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës dhe sipas gazetës “Sport”, është vetëm në pritje të autorizimit nga qeveria në Madrid, për të cilin thotë se do të bëhet publik së shpejti.

“Qeveria e ka dhënë dritën e gjelbër për zhvillimin e ndeshjes në Spanjë dhe nuk ka gjetur terren neutral. Ky vendim, megjithatë, nuk nënkupton se Spanja e njeh pavarësinë e Kosovës”, shkruan e përditshmja spanjolle.

Kosova është pjesë e Grupit B bashkë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, katër kombëtare, tri prej të cilave s’e kanë njohur pavarësinë e saj.

Verdhekaltërve i ra shorti të luajnë në Grupin A, në fakt, por duke qenë se në atë grup ishte edhe Serbia, atëherë ata u zhvendosën në Grupin B, sipas rregullave të shortit të FIFA-s. Për çështje politike, Kosova nuk mund të ishte në një grup me Serbinë, Rusinë dhe Bosnjën.

Spanja s’e njeh Kosovën kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja.

Në të kaluarën, Spanja nuk i kishte njohur simbolet e shtetit të Kosovës në organizimet e saj të ngjarjeve sportive.

Kosova ishte detyruar të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare në Tarragona dhe në Kampionatin Botëror të Karatesë në Madrid në vitin 2018 pa simbole shtetërore, për shkak të qëndrimit të qeverisë spanjolle.

Por vetëm një vit më vonë, Spanja i vuajti pasojat e mos pranimit të simboleve shtetërore të Kosovës.

Në vitin 2019, UEFA ia hoqi Spanjës organizimin e ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian U-17, sepse kishte refuzuar t’i njihte simbolet shtetërore të Kosovës.

Spanja duhej t’i organizonte ndeshjet e Grupit 5, në të cilin bënin pjesë vetë ajo, Kosova, Greqia dhe Ukraina. UEFA vendosi që ndeshjet të zhvilloheshin në Zvicër.

Federata e Futbollit e Spanjës u detyrua t’i paguajë të gjitha shpenzimet e dy ndeshjeve me Kosovën në Nyon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *