E gjithë vëmendja në javën e 21-të në Superligën e Kosovës në futboll do të jetë në kryeqytet.
Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, brenda një periudhe të shkurtër do të ndeshen për herë të tretë Prishtina e Drita.
Pas fitores në Superkupës dhe në Kupën e Kosovës, Prishtina synon fitoren e tretë me radhë ndaj Dritës këtë herë në kampionat.
Statistikat e bëjnë favorite Prishtinën, por jo shpesh favoriti fiton, kjo edhe është arsyeja që futbolli është sport shumë atraktiv, pasi askush asgjë të sigurt në fushë nuk ka.
Faqja zyrtare e Prishtinës ka nxjerrë statistikat e përballjeve direkte të këtyre dy skuadrave e ku bardhekarit kanë statistika shumë më të mira se ajo gjilanase.
Në katër ndeshjet e këtij edicioni, prishtinasit kanë korrur dy fitore (3:1 në Superkupë dhe 1:0 në Kupë), derisa kanë edhe dy barazime 0:0 dhe 1:1 në kampionat.
Në përgjithësi, në 52 përballje, FC Prishtina ka 23 fitore, Drita dhjetë fitore dhe 19 ndeshje janë mbyllur baras.
FC Prishtina është e pamposhtur në 14 ndeshjet e fundit në kampionat, derisa Dritën e pret si skuadra më në formë në ligë sivjet.
Nga ana tjetër, Drita udhëton në kryeqytet pas humbjes 1:2 nga Trepça ’89 në Gjilan.