Ballkani ka triumfuar ndaj Feronikelit me rezultat minimal 1-0.
Mirlind Daku ka realizuar tetë minuta para fundit të ndeshjes për t’i dhënë një fitore shumë të rëndësishme ‘portokallinjëve’ në luftën për titullin kampion, pasi që tashmë kryesojnë klasifikimin.
Megjithatë, duhet pritur Komisionin e Garave për ta regjistruar këtë ndeshje, pasi që suharkasit inkuadruan ‘gardianin’ Damir Luljanoviç nga minuta e parë, megjithëse ai ishte i dënuar nga Komisioni Disiplinor me dy ndeshje për shkak të kartonit të kuq direkt në duelin e Kupës ndaj Llapit.
Në mbledhjen e mbajtur më 12 shkurt, disiplina kishte shqyrtuar rastet e dërguara nga Komisioni i Garave, ndërkohë që kishte dënuar Erjon Vucajn dhe Damir Luljanoviç me nga dy ndeshje.
Vendimi i lëshuar nga Komisioni Disiplinor më 12 shkurt
Për dallim nga Erjon Vucaj i Dritës, i cili pushoi dy ndeshje, ‘gardiani’ i Ballkanit e bëri vetëm në një të tillë, atë ndaj Besës.
Siç mund të shihet dhe në protokollin zyrtar të ndeshjes, ai nisi nga minuta e parë.
Protokolli zyrtar i ndeshjes Ballkani vs. Feronikeli
Gazeta “Sheshi” merr vesh që Ballkani ka bërë ankesë në Shkallën e Dytë, mirëpo në dy mbledhjet e mbajtura më 16 dhe 19 shkurt të publikuara edhe në sajtin zyrtar të FFK-së nuk shihet askund se Luljanoviçit mund t’i është falur një ndeshje.
Apeli në raste të rralla, apo më mirë thënë nuk mbahet mend t’i ketë hequr kartonin ndonjë futbollisti.
Në bazë të publikimeve zyrtare del që FFK nuk ka vendosur asgjë për futbollistin në fjalë dhe në një rast të tillë ku mund të ankohet edhe pala e tretë, skuadra e Ballkanit mund ta humbasë ndeshjen.
Mbetet për të parë se çfarë do të ndodh me këtë takim.