Klubi Futbollistik “Feronikeli” e ka zgjidhur çështjen e shefit të shtabit teknik, për të paktën deri në përfundimin e edicionit 2019/2020.
Është ish-futbollisti i mirënjohur, Malsor Gjonbalaj, i cili do ta drejtojë skuadrën deri në fundin e këtij edicioni, mëson Gazeta Sheshi.
Gjonbalaj i cili ushtronte rolin e drejtorit sportiv te “Nikli” tashmë veçse ka zbritur në dhomat e zhveshjes.
Ai është prezantuar të premten përpara futbollistëve si shef i ri i shtabit teknik, i cili do të ndihmohet nga ndihmës trajneri Faruk Elshani që po stërviste ekipin deri në këtë javë pas shkarkimit të Agim Sopit.
Gjonbalaj do ta ushtrojë këtë funksion deri në arritjen e një marrëveshje me ndonjë trajner për edicionin vijues.
Malsor Gjonbalaj ka përfunduar Fakultetin e Shkencave Sportive në Universitetin e Prishtinës. Po në këtë Universitet ai ka magjistruar në Fakultetin e Shkencave Sportive dhe tani është edhe Profesor i Kulturës Fizike dhe Sporteve.
Është trajner i licencuar nga Federata e Futbollit të Maqedonisë. Po ashtu ai ka licencë për trajner edhe nga Federata Suedeze e Futbollit.
Në Kosovë ka drejtuar një kohë skuadrën e Vëllaznimit të Gjakovës.