Legjenda e fanellës kuqezi, Altin Lala ka qenë pjesë e formacionit të veteranëve të Shqipërisë në sfidën që e zhvilluan sot kundër Kosovës.
Ndeshja u luajt në stadiumin e 2 Korrikut në kuadër të 17 Shkurtit , Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Lala për faqen zyrtare te FFK-së ka thënë se i ka kërkuar presidentit të FFK-së, që këso ndeshje të luhen çdo vit dhe atë në prani të tifozëve.
Ai ka lavdëruar punën që po bëhet në futbollin kosovar, madje nuk ka hezituar duke thënë se Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova në këtë aspekt.
“Kjo ishte një ndeshje vëllazërore dhe besoj se do të bëhet çdo vit. Para ndeshjes bisedova me presidentin Ademi dhe u dakorduam që në të ardhmen ndeshjet e këtilla të zhvillohen me shikues dhe të shndërrohen në spektakle futbolli.
Unë vij shpesh në Kosovë dhe kam parë ndryshime shumë pozitive. Madje, do të thosha se edhe Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova pavarësish se është shtet i ri. I uroj gjithë të mirat Kosovës dhe sa më parë të bëhet edhe liberalizimi i vizave sepse kjo do të ishte gjë shumë e mirë për qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm si popujt e tjerë të Europës”, ka thënë Lala. /D