Perez gati për të bërë çmendurinë

Largimi i Cristiano Ronaldos ka lënë një boshllëk të madh te Real Madrid. Drejtuesit e klubit menduan se e zëvendësuan yllin portugez me Eden Hazard, por ky i fundit nuk po ia del të lërë shenjën e tij te “Los Blancos”.

Florentino Perez është lodhur me oshilacionet e shumta të ekipit dhe ka vendosur të bëjë një revolucion të madh në verë. Ëndrra e kahershme quhet Kylian Mbappe, por presidenti nuk mjaftohet me kaq.

Në Spanjë raportojnë se Reali do të nisë ofensivën edhe për Erling Haaland, goleadorin norvegjez të Dortmundit. Goditja e dyfishtë kërkon një sforco ekonomike dhe Perez ka vendosur të shesë gjysmën e skuadrës.

Emra si Isco, Raphael Varane, Eder Militao, Mariano Diaz dhe Marcelo kanë përfunduar në merkato, teksa do të vazhdojnë të mbeten në huazim Odegaard, Jovic dhe Dani Ceballos. Një tjetër “sakrificë” do të jetë ajo e Casemiros.

Te Reali po mendojnë të përfshijnë “luftëtarin” e mesfushës në operacionin që do të sillte zbarkimin e Mbappe në “Santiago Bernabeu”. Mesazhi është i qartë: Reali do të bëjë gjithçka për të formuar një sulm fenomenal me Mbappe dhe Haaland.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *