Belgu i Real Madridit, Eden Hazard, shpreson të vazhdojë të luajë futboll edhe për gjashtë vite, nëse trupi i tij ia lejon. 30-vjeçari është prekur rregullisht nga dëmtimet, që kur u bashkua me gjigandët spanjollë më 2019. Hazard është kufizuar në vetëm 35 paraqitje konkurruese në total për “Los Blancos”. Nga këto, vetëm në 13 ndeshje ka marrë pjesë këtë sezon.
Përfaqësuesi belg pësoi një tjetër dëmtim të muskujve këtë muaj dhe do të mbetet jashtë fushave për disa javë. Kjo do të thotë se mund të humbasë ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Atalantës. Në Madrid, ai ka më shumë dëmtime se gola dhe asiste bashkë, çka tregon mjerimin total… Ish-ylli i Chelsea shpreson t’i kapërcejë problemet e tij dhe të luajë deri në moshën 36 vjeç:
“Unë thjesht shpresoj të luaj futboll për aq kohë sa të jetë e mundur. Gjithmonë përpiqem të kënaqem në fushë. Kur të bëhet fjalë për fundin e karrierës, mund të shikoj prapa në arritjet e mia. Sidoqoftë, përparësia ime tani është të luaj mirë dhe të shijoj futbollin. Unë nuk mendoj se ku do të jem në vitet e ardhshme, përpiqem të përqendrohem në ndeshjen dhe seancën stërvitore të radhës.
Tani jam 30 vjeç dhe, për aq kohë sa trupi im ndihet mirë, shpresoj të mund të vazhdoj të luaj. Planifikoj të jem aktiv për të paktën pesë ose gjashtë vite të tjera. Jam me fat që kur dëmtohem dhe rri ngujuar në shtëpi, kam familjen time për të më qetësuar. Nuk është fundi i botës për mua, sepse mund të kaloj kohë me fëmijët. Kur je vetëm dhe i dëmtuar, mund të jetë e vështirë, por unë jam me fat që kam familjen time për të më mbështetur.
Kur lëndohesh ka vetëm një gjë që mund të bësh: të punosh që të përmirësohesh më shpejt. Lëndimet e shpeshta më kanë marrë mjaft kohë për t’u shëruar. Unë thjesht duhet të pres, të punoj shumë për t’u bërë më mirë. Kur jam në shtëpi, mund ta shijoj kohën me familjen time”.
Trajneri i real Madridit, Zinedine Zidane, është përballur me kritika të ashpra për shkak të ecurisë së dobët të skuadrës së tij këtë sezon. Klubi kryeqytetas qëndron i treti në klasifikim, me 7 pikë pas Atletico Madrid, i cili ka edhe dy ndeshje të prapambetura. Francezi ka qenë gjithnjë një hero për Hazard, i cili pranon se ishte më shumë admirues i Arsenalit sesa mbështetës i Chelsea:
“Kur isha i vogël, ekipi që shikoja më shumë ishte kombëtarja franceze. Lojtarët që shikoja me admirim ishin Zinedine Zidane dhe Thierry Henry. Është e vështirë ta pranoj për shkak të marrëdhënies sime me Chelsea, por më pëlqente shumë ekipi i Arsenalit në atë kohë. Ata kishin lojtarë si Robert Pires, Sylvain Wiltord dhe Patrick Vieira, kështu që ishin kryesisht lojtarët francezë, që unë i ndiqja duke u rritur”.