Menaxheri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, ka reaguar pas barazimit të United me Evertonin në kuadër të xhiros së 23-të të Premierligës.
Manchester United dhe Everton kanë ndarë pikët në një duel tejet dinamik në Old Trafford, ku “The Red Devils” kishin avantazhin dy herë për ta humbur atë.
Pas ndeshjes, menaxheri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, refuzoi të cilësojë skuadrën e tij se është pretendente për titullin kampion, edhe pse qëndron e dyta në tabelë.
“Unë nuk do të fajësoja askënd për golat, por ne e dimë se mund të kishim bërë më mirë si skuadër për të gjithë ata gola të pësuar”, tha ai.
“Rezultatet krijojnë disponimin, goditja e fundit e topit na bën të shkojmë në shtëpi vërtet të zhgënjyer. Kemi humbur dy pikë në një aksion të gjatë, të cilin duhej ta ndalnim më mirë”, shtoi ai.
United tani është dy pikë prapa Cityt me dy ndeshje më shumë të zhvilluara, dhe Solskjaer thotë se ata janë shumë larg për të qenë pretendentë për titull.
“Ne duhet të jemi më të mirë dhe të shohim se ku do të përfundojmë, Duke shikuar në të ardhmen, ne duhet të ndalojmë së pranuari gola të lehtë”, tha Solskjaer.
“Ne nuk duhet të konsiderohemi si sfidues të titullit. Kjo është më shumë një gjë që po thoni ju (mediat britanike)”, përfundoi Ole Gunnar Solskjaer.