Futbollisti i Fenerbahce i cili është huazuar tek skuadra e Fatih Karamuguruk, Kemal Ademi ka dhënë një lajm zhgënjyes për adhuruesit kosovarë.
Më parë ishte raportuar nga mediat kosovare se Kemal Ademi ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën dhe do të ishte zëvendësimi perfekt i Vedat Muriqit.
Tani, në një intervistë për “20 Min”, Ademi kishte deklaruar se është duke pritur thirrjen e selektorit zviceran, Vladimir Petkovic.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi kishte deklaruar në nëntor se kishte kontakte me Kemalin.
“Me Kemal Ademin kemi pasur kontakte dhe vazhdojmë të kemi ende. Kam dëshirë që Kemali të ambientohet mirë në skuadrën e Fenerbahces pasi ndryshimi i ekipit nganjëherë është problem”, tha ai.
“Me Kemal Ademin kam kontakt të vazhdueshëm dhe ai do të jetë me ne, por fillimisht duhet të ambientohet te Fenerbahce”, tha Ademi.
Por fjalët e Ademit dëshmojnë të kundërtën e asaj çfarë presidenti i FFK-së deklaroi më herët në nëntor.
“Do të isha shumë i lumtur nëse trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkoviç, do të më kontaktonte.Unë gjithashtu bisedova me prindërit e mi për vendimin tim”, tha ai.
“Edhe rruga ime tashmë po lëviz drejt Zvicrës. Por asgjë ende nuk është vendosur. Unë kam biseduar me personat përgjegjës të të dy vendeve dhe tani po pres”, shtoi ai.
“Por gjithashtu nuk është se ndiej ndonjë presion. Aspak. Nëse ka një ofertë, unë vendos me mendjen time”, deklaroi Kemal Ademi.