Liverpool-Manchester City; ky është “treni” i fundit i Klopp për titullin

Liverpool i Jurgen Klopp kërkon shpagim pas rezultateve të fundit negative. “Reds” sfidojnë liderët e Premier League, Manchester City, në ndeshjen e madhe të javës së 23-të. Ata kanë zbritur në vendin e 4-t të renditjes me 40 pikë, si rezultat i 11 fitoreve, 7 barazimeve dhe 4 humbjeve; ndërsa “qytetarët” kryesojnë renditjen me 47 pikë, duke pasur një avantazh prej 3 pikësh ndaj Manchester United (14 fitore, 5 barazime dhe 2 humbje).

Në përgjithësi, Liverpool dhe Manchester City janë takuar 91 herë në futbollin anglez. Nga këto: 47 në Premier League dhe 44 në ish-Divizionin e Parë. Bilanci është në favor të të kuqve, të cilët kanë fituar 46 herë, krahasuar me 27 barazime dhe 18 fitore nga blutë. Duke marrë parasysh vetëm ndeshjet e luajtura në Premier League, Liverpool gjithmonë komandon me 20 fitore, 17 barazime dhe 10 humbje përballë Manchester City.

Të dy të mëdhenjtë e Anglisë kalojnë momente diametralisht të kundërta të sezonit të tyre. Situatë shumë negative e skuadrës së Klopp, që vjen nga 2 humbje dhe 2 fitore në 4 ndeshjet e fundit. Moment veçanërisht pozitiv për të besuarit e Guardiolës, që vijnë në këtë përballje të shumëpritur me 9 fitore radhazi në kampionat.

Egjiptiani i Liverpool, Mohamed Salah, duke shënuar 15 herë, është golashënuesi më i mirë i Premier League, ndërsa Raheem Sterling dhe Ilkay Gündogan janë shënuesit më të mirë të “Citizens”, me nga 7 gola secili, në kampionat.

Liverpool është penalizuar fort nga dëmtimet. Sot shpreson të triumfojë ndaj Manchester City, në ndeshjen e madhe të “Anfield”. Klopp synon të rikuperojë të paktën Alisson në portë. Nëse braziliani nuk ia del, mes shtyllave do të konfirmohet Kelleher. Van Dijk, Gomez dhe Matip, të dëmtuar, ashtu si Fabinho, nuk mund të llogariten. Guardiola do të ketë vetëm tri mungesa: të dëmtuarit De Bruyne dhe Aké, ndërsa në sulm, Aguero mbetet në dyshim.

Ja formacionet e mundshme:
LIVERPOOL (4-3-3): Kelleher; Alexander-Arnold, Henderson, Phillips, Robertson; Milner, Thiago Alcántara, Wijnaldum; Salah, Roberto Firmino, Shaqiri.
MANCHESTER CITY (4-3-3): Ederson; Walker, Rúben Dias, Stones, Cancelo; Bernardo Silva, Rodri, Gündogan; Mahrez, Gabriel Jesus, Sterling.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *