Kampionati i Kosovës në futboll dita-ditës po bëhet më interesant dhe joshës, kjo fal investimeve bukur të mëdha që po bëjnë klubet.
Megjithatë, një shqetësim i cili sa vjen e rritet në futbollin tonë është ndarja e drejtësisë. Klubet vazhdojnë të kenë ankesa të mëdha në adresë të këmishëzinjve duke i gjykuar për një referim të dobët, e madje nuk kanë munguar as akuzat se disa po referojnë edhe me tendencë.
Për ta ulur këtë dukuri negative, Federata e Futbollit e Kosovës është duke e shqyrtuar shumë seriozisht instalimin e sistemit VAR që do ta lehtësonte maksimalisht punën e gjyqtarëve.
“KE do të vazhdojë përpjekjet dhe përgatitjet që sa më parë të instalojë edhe sistemin VAR, që do të ishte një ndihmesë e madhe në mbarëvajtjen e garave.
KE shqyrtoi dhe miratoi Memorandumin e Bashkëpunimit me Federatën e Futbollit të Turqisë, si shumë të dobishëm në të gjitha fushat e në veçanti në përkrahje të infrastrukturës, organizimin e kampeve për të gjitha ekipet kombëtare si dhe për instalimin e sistemit VAR”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Gjithsesi, edhe kjo pranverë do të jetë pa VAR, me shpresë se një gjë e tillë do të mund të bëhet në kampionatin e ardhshëm, edhe pse duhet pranuar se do të jetë bukur vështirë, kjo për shkak që stadiumet tona kanë një infrastrukturë të dobët.