Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm, pasi është rrëzuar avioni, i cili po dërgonte ekipin brazilian të Palmas për në Goiania.
Për pasojë, kanë ndërruar jetë katër futbollistët: Lucas Praxedes, Guilherme Noe, Ranule dhe Marcus Molinari; presidenti i klubit Lucas Meira dhe piloti Wagner.
Avioni u ngrit vetëm 500 metra dhe më pas u rrëzua, raporton CNN.
Ekipi do të udhëtonte për në Goiania, ku do të përballej me ekipin Vila Nova ditën e hënë. Departamenti i Zjarrfikësve mbërriti me urgjencë në vendin e ngjarjes, por aksidenti shkaktoi pasoja të rënda.
Në një deklaratë nga ekipi i futbollit, njoftohet lajmi i hidhur. “Ekipi i Palmas me anë të kësaj informon se rreth orës 8:15 të mëngjesit të kësaj të diele, 24 janar, ndodhi një aksident ajror që përfshiu edhe presidentin e klubit Lucas Meira, kur ai po udhëtonte për Goiania, për ndeshjen midis Vila Nova dhe Palmas të hënën, 25 për Kupën e Gjelbër”, thuhet në deklaratë.
Ekipi i futbollit Palmas u themelua në vitin 1997 dhe aktualisht garon në Serie D të kampionatit brazilian.