Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Trepçës në udhëtim me rezultat 72:78 (19:25, 23:12, 21:17, 9:24), në kuadër të javës së 17-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Çereku i parë ishte i baraspeshuar, por në minutat e fundit, Ylli shkëputet dhe fiton pjesën e parë 19:25. Rikthimi i Trepçës nuk vonoi dhe e filloi për mrekulli periudhën e dytë, derisa 3 minuta para fundit të pjesës së parë kalojnë në epërsi 33:32 dhe përmbyll pjesën e parë me shifrat 42:37.
Në periodën e tretë mysafirët ngushtuan shifrat në 47:46, por vendasit me një seri të suksesshme sërish shkëputen, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 63:54. 10 minutat e fundit ishin shumë interesante dhe dramatike. Ylli duke pasur edhe bankën më të mirë rezervë dha maksimumin në periudhën e fundit, duke shkrirë epërsinë e vendasve dhe kaloi në epërsi 69:74, kurse triumfoi në fund 72:78.
Te Trepça u dalluan Ivan Koljeviq me 14 pikë, nëntë kërcime dhe shtatë asistime, Dillon Smith me 16 pikë, Toutiazarkis Stavros me 14 dhe Drilon Hajrizi me 12 pikë e nëntë kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Mitchell Wilbekin me 24 pikë, Erjon Kastrati me 15, Valon Bunjaku me 14 dhe Gëzim Morina me 12 pikë e tetë kërcime.
Trepça ka katër fitore dhe 13 humbje, kurse Golden Eagle Ylli 11 fitore dhe gjashtë humbje.