Nesër Superkupa Drita-Prishtina, kjo është deklarata e Ramadanit

FC Prishtina tash e disa ditë ndodhet në Antalia të Turqisë për përgatitje intensive për stinorin pranveror në elitën e futbollit kosovar.

Të shtunën e 23 janarit, duke filluar nga ora 11:50, Drita dhe Prishtina do të ndeshen në stadiumin “Mardan” të qytetit bregdetar turk Antalia në kuadër të Superkupës së Kosovës.

Kryetrajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, për fazën zyrtare të Prishtinës, “prishtinasfc.com”, e vlerësoi maksimalisht këtë takim.

“Për takimin e Superkupës do të angazhohen futbollistët që janë në formën më të mirë dhe ata që kanë treguar paraqitje të mira në stinorin vjeshtor. Të gjithë janë gati, nuk kemi asnjë lëndim qoftë edhe të vogël. Për ndeshjen ndaj Dritës i kemi dy mungesa, Gauthier Mankenda dhe Otto John, që nuk janë pajisur me viza. Ua kemi lënë një program që të përgatiten sa më mirë. Mungesat pres që t’i kompensojmë. Për takimin me Dritën luhet për trofe dhe luftojmë për, fitore. Mirëpo në asnjë moment nuk kemi hequr nga përgatitjet fizike dhe nga stërvitjet e rënda pasi Superkupa është vetëm një ndeshje dhe kampionati i gjatë. Gjithsesi e vlerësojmë në maksimum dhe me dëshirë të madhe synojmë ta fitojmë Superkupën”, ka deklaruar Zekirija Ramdani.

Tutje, Ramadani foli edhe për përgatitjet që po i kryen skuadra kryeqytetase në bregdetin e Antalias.

“Jam i kënaqur me seriozitetin dhe angazhimin e futbollistëve. Atmosfera është në nivelin e lart dhe po punojmë nga dy herë në ditë”, theksoi Zekirija Ramadani.

Prishtina edhe në këtë edicion e synon titullin kampion, si dhe Kupën e Kosovës.

Prishtinasit e kanë përfunduar stinorin vjeshtor në pozitën e tretë më nëntë pikë më pak se lideri Drita dhe gjashtë më pak se Ballkani, që renditet i dyti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *