Trajneri serb, Nenad Lalatovic insiston se nuk ekzistojnë para në botë që do ta bindnin atë ta udhëheq ekipin kombëtar të Kosovës. Ai thotë se do të ishte i gatshëm të shkojë në luftë për Serbinë
Trajneri i Vojvodinës, Nenad Lalatovic thotë se kurrë në jetë nuk do ta drejtonte ekipin kombëtar të Kosovës.
Ai thotë se nuk e njeh shtetin e Kosovës, prandaj edhe nuk do të punonte kurrë me “Dardanët”.
“Po e shoh se disa djelmosha po zgjedhin të luajnë për atë ekip (Kosovën), por unë nuk do të punoja kurrë në një ambient të tillë. Nuk mund të isha selektor i Kosovës. Nuk ka para të botës që do të mund të më bindnin që ta zgjedh bankinën e të ashtuquajturit reprezentacion të Kosovës”, theksoi Lalatovic për mediumin serb “Alo”, përcjell Gazeta Express.
Ndërkohë, ai tregon se çka do të ishte në gjendje të bëjë për Serbinë, nëse kjo do të ishte e nevojshme.
“Nesër, nëse Zoti do të donte që të nisë lufta, unë do të shkoja i pari për ta mbrojtur vendin tim. Nuk ka frikë në këtë punë. Në Serbi më janë lindur fëmijët, unë jam patriot i madh. Gjithçka do të bëja që unë dhe njerëzit e mi të jetojnë më mirë”, përfundoi trajneri i Vojvodinës.
Ditëve të fundit në Serbi është çuar një pluhur i madh që kur futbollisti i ri serb, Ilija Iviç vendosi të luajë për Përfaqësuesen U-19 të Kosovës.