Haaland me shifra prej jashtëtokësori

Më 18 janar 2020, pra fiks një vit më parë, Erling Braut Haaland debutoi me Borussia Dortmundin. Sulmuesi norvegjez hyri në vend të Piszczek në minutën e 56-të në ndeshjen kundër Augsburgut (3-5), kur rezultati ishte 3-1. Ai, si askush më parë, realizoi tregolësh që në debutim, madje duke u hedhur në fushë si zëvendësues.

Skenari u përsërit javën pasardhëse në fitoren 5-1 kundër Kolnit. Haaland zëvendësoi Thorgan Hazard në minutën e 65-të dhe shënoi dygolësh. Historia përsëritej vazhdimisht: askush nuk kishte shënuar kaq shumë gola (5) në dy ndeshjet e para, askush nuk i kaloi shtatë gola pas tri ndeshjeve … Dhe kështu me radhë derisa arriti 25 gola në 25 ndeshjet e tij të para në Bundesligë, duke thyer rekordin e Uwe Seeler (23 gola).

Haaland, në moshën 20-vjeçare, e mbylli vitin e parë në Dortmund me shifrat prej jashtëtokësori: 35 gola në 35 ndeshje. Ai gjithashtu ka dhënë pesë asistime në të gjitha garat.

Nuk është ndalur së thyeri rekorde as në Ligën e Kampionëve. Haaland mund të mburret se është lojtari më i ri që ka arritur të shënojë 10 apo 15 gola në historinë e Championsit. Aktualisht, ka arritur shifrën e 16 finalizimeve në këtë garë. E të mendosh që për një gol i janë dashur vetëm 56 minuta lojë.

Haaland gjithashtu u bë lojtari i parë i Borussia Dortmundit që shënoi në debutimin e tij në Kampionat, Kupë dhe Champions League.

Kulmi i vitit të tij të parë në “Signal Iduna Park” erdhi me kurorëzimin e tij me çmimin “Golden Boy” nga “Tuttosport”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *