Në ditët e sotme është bërë mjaft e zakonshme që njerëzit të angazhohen, ose të ushtrojnë aktivitete sportive. Përveç personave që i kanë pasion sportet e ndryshme dhe që i ushtrojnë rregullisht, edhe njerëzit e zakonshëm po bëhen përditë e më të vetëdijshëm për përfitimet që mund të kenë nga ushtrimi i sporteve të ndryshme. Kthimi në rutinë i aktivitetit fizik, rrit metabolizmin e organizmit tonë dhe mban nën kontroll obezitetin.
Gjithashtu, aktiviteti fizik jep përfitime të mëdha edhe në trajtimin e diabetit, sëmundjeve kardiake, problemeve të muskujve dhe kockave, etj. Mjekja Ilda Xhelili, thekson se pavarësisht këtyre përfitimeve, duhet të tregohet kujdes me llojin e aktivitetit fizik që vendosim të kryejmë. Sipas saj, normat e aktivitetit fizik duhet të jenë në përputhje të plotë me situatën shëndetësore të çdo individi.
Ndaj në radhë të parë duhet të këshillohemi me mjekun e familjes për gjendjen tonë shëndetësore, veprim të cilin duhet ta kryejmë përpara se të vendosim për të ushtruar aktivitetin fizik. Natyrisht, kur njerëzit angazhohen në sporte, apo ushtrime të ndryshme fizike mund të ketë edhe lëndime, të cilat vijnë për arsye të caktuara.
Konkretisht, çfarë përfshijnë këto lëndime sportive?
Lëndimet sportive mund të përfshijnë indet e buta (muskujt, ligamentet, tendinat), kockat, teksa janë të pranishme edhe dëmtime të tjera të brendshme traumatike.
Ndër lëndimet më të shpeshta që mund të përmendim janë: tërheqjet muskulare, dëmtim të ligamenteve, dhimbje të shpinës së këmbëve, fraktura të kockave, dhimbje të shpinës, dëmtime traumatike të trurit, dëmtim të tendinës së akilit, etj.
Në vijim të shkrimit, gjenden të detajuara simptomat që shoqërojnë secilin prej këtyre dëmtimeve, si dhe këshillat praktike se si mund të veprohet për të reduktuar sa më shpejt dhimbjet dhe pasojat që mund të vijnë prej tyre.
Tërheqjet muskulare
Tërheqjet muskulare janë ndër dëmtimet më të zakonshme që ndodhin si rezultat i mbingarkesës së aktivitetit fizik. Simptomat e kësaj situate përfshijnë dhimbje të forta, ënjtje në zonën e dëmtuar, dobësi dhe vështirësi, apo edhe paaftësi për të përdorur këta muskuj.
Muskujt që dëmtohen më shpesh janë të kofshës, pulpës, muskujt e ijeve, si dhe të shpatullave. Në këto raste rekomandohet pushim i aktivitetit fizik, kompresa me akull dhe qetësues të dhimbjeve. Në qoftë se situata zgjat më tepër se 3-4 ditë problemi kërkon trajtim nga mjeku specialist.
Dëmtimi i ligamenteve
Në vendin e dytë qëndron dëmtimi i ligamenteve që mbajnë të lidhura të gjitha strukturat kockore dhe muskulore që formojnë gjurin. Këto dëmtime mund të vijnë nga goditjet e drejtpërdrejta në gju, vrapimet e shpejta dhe rrëzimet. Dhimbjet në këtë rast janë shume të forta, ka ënjtje të shprehur dhe vështirësi deri në pamundësi për të ecur. Këto dëmtime kërkojnë zakonisht ndërhyrje kirurgjikale.
Megjithatë, edhe ndërhyrja kirurgjikale është në varësi të dëmtimit, moshës dhe gjendjes shëndetësore të pacientit. Rehabilitimi dhe trajtimi fizioterapeutik është i domosdoshëm pas ndërhyrjes kirurgjikale, në mënyrë që pacienti të rifitojë funksionin e mëparshëm.
Mjaft delikatë janë edhe ligamentet në pjesën e pasme të kupës së gjurit, të cilat bëjnë lidhjen e strukturave të kofshës me ato të kërcirit. Zakonisht këto dëmtime shkojnë bashkë më ato të gjurit.
Dhimbjet e shpinës së këmbëve
Personat që vrapojnë shpesh dhe gjatë mund të kenë dhimbje të shputës dhe të shpinës së këmbëve, si edhe të zonave përreth tyre. Këto mund të vijnë si rezultat i dëmtimeve të përsëritura që mund të ndodhin të vrapuesit, apo tek ata te cilët sapo e kanë filluar ushtrimin.
Prandaj për fillestarët rekomandohet që ushtrimi fizik të fillojë gradualisht në mënyre që muskujt të mos pësojnë sforcime të menjëhershme. Rekomandohet gjithashtu të përdoren këpucë atletike të posaçme për të siguruar një komfort maksimal dhe uljen e rrezikut të dëmtimeve. Në rastet e dëmtimeve rekomandohen pushime, kompresa me akull, si edhe imobilizim të zonës së dëmtuar.
Thyerjet kockore
Kur muskujt nuk janë më në gjendje për të përballuar aktivitetin fizik dhe sforcoja është shumë e madhe si rezultat i goditjeve gjatë rrëzimeve në pozicione të ndryshme mund të ndodhin fraktura (thyerje kockore).
Këto janë më të shpeshta kur kemi rritje të aktivitetit fizik në mënyrë të përshpejtuar. Shumica e frakturave ndodhin në këmbë dhe në gjunjë. Mjaft të shpeshta janë edhe ato të legenit. Femrat janë më të prirura për të pësuar fraktura se sa ndodh tek meshkujt.
Inflamacioni i ligamentit të thembrës
Një dëmtim tjetër mjaft i shpeshtë është dhe inflamacioni i ligamentit që lidh thembrën me pjesën e përparme të këmbës duke krijuar dhe harkun e shputës së këmbës. Ky inflamacion shkakton dhimbje të thembrave dhe shpesh ndjehet që në mëngjes pas ngritjes nga shtrati edhe pa qenë aktiv.
Dhimbja shtohet më tepër kur tentojmë ta shtrijmë këmbën, ose ta mbështesim mbi dysheme. Në këtë rast mund të përdoren preparate kundër inflamacionit dhe që qetësojnë dhimbjen. Po ashtu terapia mund të intensifikohet dhe mund të kërkojë trajtime fizioterapeutike.
Dëmtimi i muskujve dhe ligamenteve të bërrylit
Dëmtimi i muskujve dhe ligamenteve të bërrylit është i zakonshëm për personat që ushtrohen në paralele, që luajnë tenis, apo edhe për piktorët që e mbajnë krahun ne pozicione të caktuara. Këto dëmtime mund të shkaktojnë dhimbje që kërkojnë pushime te gjata të këtyre lëvizjeve.
Gjithashtu, ato mund të kërkojnë edhe lidhje të veçanta, apo edhe mbajtëse të veçanta në zonën e parakrahut, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e presionit në zonën e ndaluar. Në varësi të dhimbjes përdoren edhe llojet e ndryshme të preparateve qetësuese.
Dhimbjet e shpinës
Gjatë ushtrimit të aktiviteteve fizike, janë të shumtë personat që ankohen edhe për dhimbje të shpinës. Për këto raste mund të jenë të nevojshme ekzaminime mjekësore më specifike për të përjashtuar në radhë të parë probleme shëndetësore të shpinës. Nga dëmtimet e shpinës, por edhe të strukturave përkatëse të zonës së legenit mund të preken shpesh personat që ushtrojnë biçikletën.
Dëmtimet traumatike të trurit
Gjatë ushtrimit të aktiviteteve të ndryshme fizike si pasojë e rrëzimeve apo goditjeve të drejtpërdrejta, përveç dëmtimit të muskujve dhe të kockave, mund të kemi edhe tronditje, apo dëmtime traumatike të trurit, të cilat janë edhe ndër problemet më serioze të dëmtimeve sportive. Kjo ndodh zakonisht tek personat që ushtrojnë biçikletën, apo tek ata që ushtrojnë sportin e futbollit.
Simptomat më të shpeshta të dëmtimeve traumatike të trurit përfshijnë dhimbje koke, humbje të vetëdijes, humbje të kujtesës, përgjumje, të përziera, të vjella, apo edhe dëmtime më të rënda. Kjo situatë kërkon një ekzaminim mjaft të kujdesshëm dhe të specializuar mjekësor. Periudha e rehabilitimit duhet të jetë shumë e gjatë dhe me kontrolle të rregullta mjekësore.
Dëmtimi i tendinës së Akilit
Natyrisht mjaft i njohur për të gjithë ne është dëmtimi i tendinit të akilit, i cili shkakton dhimbje në pjesën e poshtme të këmbës në zonën mbi thembrën. Zona mund të bëhet e dhimbshme, e fryrë dhe e ngurtë. Dhimbja përkeqësohet më tepër me rifillimin e aktivitetit fizik. Ky dëmtim kërkon ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Cilat janë këshillat që duhet të ndjekim për shmangur dëmtimet gjatë ndjekjes së aktiviteteve sportive?
Aktiviteti fizik është një pjesë e rëndësishme e jetës sonë për ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm. Megjithatë, duke pasur parasysh rreziqet që përshkruam me lart, duhet të merren masa të caktuara për të minimizuar rrezikun e lëndimeve sportive. Në radhë të parë rekomandohen veshje të posaçme, në mënyrë të veçantë këpucë sportive të cilësisë së mirë.
Po ashtu, këshillohen edhe veshje mbrojtëse, të cilat mund të ndihmojnë për të mbrojtur trupin ndaj dëmtimit. Aktiviteti sportiv rekomandohet të fillohet ngadalë, duke rritur gradualisht forcën dhe kohën e ushtrimit. Kjo bën që muskujt, kockat të përshtaten gradualisht me situatën e sforcimit fizik. Gjatë kohës së ushtrimit rekomandohen pushime të shkurtra.
Më kryesorja mbetet përputhja e aktivitetit fizik me gjendjen shëndetësore. Për këtë kërkohet një marrëdhënie e vazhdueshme, në radhë të parë me mjekun tuaj të familjes, dhe më pas me atë specialist nëse do të jetë e nevojshme. Kujdesi për ushqimin është një tjetër këshillë që nuk duhet neglizhuar. Duhet të tentojmë më shumë drejt ushqyerjes së shëndetshme.
Aktiviteti i rregullt fizik, shoqërohet me ulje modeste të presionit të gjakut, ulje të rezistencës ndaj insulinës, ulje të kolesterolit të keq dhe rritje të kolesterolit të mirë që është i nevojshëm për organizmin, zvogëlim të aktivitetit inflamator, ulje në peshë, mbajtjen larg të shumë sëmundjeve kronike, teksa janë të pashmangshme edhe përmirësimet e mirëqenies fizike dhe asaj psikologjike.
Pavarësisht këtyre të mirave, specialistët e shëndetit thonë se edukimi i njerëzve për ta bërë aktivitetin fizik element të natyrshëm të ruajtjes dhe zhvillimit të shëndetit të tyre, është një punë shumë e vështirë, pasi ajo kërkon kohë, si edhe gjetjen e mënyrave më të pranueshme për t’u ushtruar. Megjithatë, mjekët thonë se asnjëherë nuk është vonë të luftohet për të vënë në praktike ushtrimin e aktiviteteve të caktuara sportive, nga ato më të lehtat deri tek llojet më të moderuara.
Për të mbajtur shumë sëmundje larg, veçanërisht ato të zemrës, diabetit, obezitetit, mbipeshës, etj, është e nevojshme që çdo njeri të ecë përditë, ose të paktën rreth 5 ditë në javë për 30 deri 60 minuta me shpejtësinë më të madhe të mundshme prej tij. Nënkuptohet që kjo është një ecje shtesë mbi atë që përfshihet në jetën e tij të përditshme në mënyrë që të digjen të paktën 1000 kalori shtesë.
Nuk duhen lënë pas dore as sporte të argëtuese si: noti, tenisi, ping-pong, vallëzim, futboll, basketboll, volejboll, vrapim, etj. Por, në çdo rast, këto sporte duhet të ushtrohen në tolerancë me gjendjen shëndetësore të çdo pacienti, kjo në mënyrë që trupi të mos pësojë lodhje dhe të preket nga dëmtimet e përmendura.