Napoli – Barça: Messi e viziton San Paolon për herë të parë. Në arenën San Paolo, Napoli dhe Barcelona zhvillojnë përballjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.
Natyrisht se katalunasit janë favoritë për t’u kualifikuar në çerekfinale, mirëpo skuadra italiane do të përpiqet t’ua vështirësojë punët.
Barcelona do ta rinisë fushatën e saj në Ligën e Kampionëve si mysafire e Napolit për ndeshjen e parë të 1/8 së finales mes tyre.
Napoli e pret Barçën në San Paolo për takimin e parë të fazës së 16 më të mirëve në Champions, i cili nis në orën 21:00.
Kjo do të jetë hera e parë që Messi luan në tempullin e Diego Armando Maradonës, San Paolo.
Barça vjen në këtë takim në një formë mbresëlënëse, pas katër fitoreve radhazi, përfshirë atë shkatërruese 5:0 kundër Eibarit, në të cilën Messi i shënoi katër gola.
Ky do të jetë takimi i parë mes Napolit dhe Barçës në një garë zyrtare.
Edhe Napoli vjen në formë të mirë në këtë takim, pasi i ka fituar tri ndeshjet e fundit, përfshirë kundër Interit në Kupën e Italisë.