Kapiteni i Bayernit, Manuel Neuer, u hodhi një sy njërit prej viteve më të suksesshme që kur ka ardhur në Munih. Nga ana sportive, viti 2020 ishte shumë i suksesshëm për 34-vjeçarin i cili në një sezon fitoi 5 trofe me skuadrën bavareze. Ai tregoi se është ende një nga portierët më të mirë në botë dhe jo rastësisht u shpall i tillë nga FIFA.
Si ishte ky vit për Neuerin, edhe pse në kohë pandemie?
Kur mendoj që këtij viti po i vjen fundi, ndihem i emocionuar. Në aspektin sportiv fituam gjithçka dhe kjo nuk mund të përshkruhet me fjalë. Unë dhe Lewandowski morëm çmimin si më të mirët dhe kjo është fantastike. Nuk mund të mos përmend edhe pandeminë, karantinën dhe momentet e vështira që kaluam dhe po kalojmë si shoqëri. Ishte një vit i mbushur me frikë, stres dhe gëzime. Një tren me emocione të miksuara. Mendoj që virusi do të na bëj më të fortë në të ardhmen. Jam i bindur që së bashku do ta kalojmë këtë gjende jonormale.
Si do t’i kalojë Neuer festat?
Me familjen, ashtu siç ndodh çdo vit. Më vjen keq që nuk do të jetë si herët e tjera. Kur kujtoj që titujt i festonim me tifozët, më bën të qaj. Do të kem mundësi të shohim atë çfarë kemi bërë në këtë sezon pa ta dhe do të reflektojmë për atë çfarë mund të na presë në të ardhmen. Kemi ende shumë gjëra që duam t’i bëjmë më mirë. 2020 ishte një vit perfekt, por kjo nuk do të thotë se do të ndalemi me kaq. Bayerni kërkon të mbetet në majën e futbollit botëror. Duam të fitojmë Botërorin e Klubeve dhe të sjellim në Munih trofeun e gjashtë.
Cilat janë dëshirat tuaja për vitin e ri?
Në fillim dëshiroj që i gjithë ky makth me koronavirusin të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Vaksina ka ardhur dhe do të jetë ndihmë e madhe për shumë njerëz që kanë nevojë të mbrohen nga virusi. Nga ana sportive na duhet të përqendrohemi sa më shpejt në ndeshjen e Kupës ndaj Kielit. Në kampionat skuadrat janë rritur dhe konkurrenca është bërë më e fortë. Në Champions duam të mundim Lazion dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt finales.
Jeni më i miri në botë, çfarë ju motivon?
Punoj çdo ditë fort për të arritur këtu ku jam sot. Çmimet janë një vlerësim për atë çfarë ke bërë në fushën e lojës. Por suksesi përgatitet në stërvitje, aty ku duhet të punosh me përkushtim dhe pasion. Jam i lumtur për punën që bëj. Jeta ime ka qenë gjithmonë e lidhur me topin dhe fushën e blertë. Më vjen mirë që për shumë sportistë të rinj jam një shembull. Edhe unë kam pasur referencat e mia, idhujt e mi.