Arrihet marrëveshja, Ferhan Hasani te Tirana, bëhet më i paguari i Superiores

Arrihet akordi. Ferhan Hasani është goditja e madhe e Tiranës për merkaton e janarit.

Kampionët e Shqipërisë kanë bindur futbollistin e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut për të firmosur një kontratë 18-mujore me bardheblutë me Bubën siç njihet ndryshe Hasani që do të bëhet futbollisti më i paguar i të gjitha kohërave në Kategorinë Superiore.

Në ditët e para të janarit ish-lojtari i Shkëndijës së Tetovës i cili sëfundmi u aktivizua në Finlandë me skuadrën më të mirë të këtij vendi HJK Helsinki me të cilët luajti në 9 takime në kampionat duke shënuar 5 gola, do të vihet në dispozicion të trajnerit Nevil Dede.

Lajmin për Supersport e kanë konfirmuar burime pranë klubit të Tiranës dhe Ferhan Hasani mund të konsiderohet zyrtarisht lojtari më i ri i kampionëve të Shqipërisë.

Pas Agim Ibraimit një tjetër futbollist me një eksperiencë të pasur ndërkombëtare i cili është aktivizuar edhe në Gjermani me Wolfsburg dhe në Danimarkë me Brondbyn vjen në Kategorinë Superiore për të rritur akoma më shumë nivelin dhe cilësinë e kampionatit tonë. /SS/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *