Sigal Prishtina ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Trepçës në udhëtim 70:78 (19:23, 16:18, 13:30, 22:7), në ndeshjen e fundit të xhiros së nëntë të Prince Caffe Superligës së Kosovës në basketboll.
Prishtina e nisi ndeshjen më mirë me një seri prej 8:2, por vendasit kthehen shpejtë në lojë dhe më pas zhvillohet lojë e baraspeshuar, megjithatë, bardhekaltrit mbyllin çerekun e parë në të mirë të tyre 19:23. Lojë e barabartë u zhvillua edhe në periudhën e dytë, 16:18, derisa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 35:41.
Dallimi u bë në periodën e tretë, me prishtinasit që ishin më të mirë, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, duke fituar këtë pjesë 13:30 kurse kishin epërsi deri në 25 pikë, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 48:71. Trepça nuk dorëzohet në 10 minutat e fundit dhe arrin të afrojë rezultatin, por jo të bëjë më shumë dhe Sigal Prishtina fiton në Mitrovicë me shifrat 70:78.
Te Trepça u dalluan Valdrin Haxhiu me 21 pikë e pesë kërcime dhe Mojeed Ewuosho me 16 pikë e gjashtë kërcime, kurse te Sigal Prishtina dy më të dalluarit ishin Daniel Lekndreaj me 25 pikë e 12 kërcime dhe Muhamedali Janjeva me 24 pikë.
Trepça ka dy fitore dhe shtatë humbje, kurse Sigal Prishtina tri fitore dhe gjashtë humbje.