Interi fiton derbin e javës ndaj Napolit, vendimtar goli nga Romelu Lukaku

Interi ka triumfuar në derbin e javës së 12-të në elitën e futbollit italian Serie A.

Neroazzurët u përballën me Napolin në shtëpi ku arritën fitore me shumë mund 1-0.

45 minutat e para të ndeshjes përfunduan ashtu siç filluan me rezultat të bardhë 0-0, përkundër që dy skuadrat krijuan raste të shumta shënimi.

Golin e vetëm në këtë sfidë e ka shënuar Romelu Lukaku, 19 minuta para fundit të sfidës.

Matteo Darmian u pengua në zonë nga portieri Ospina dhe gjyqtari akordoi penallti për vendasit.

I saktë nga pika e bardhë ishte sulmuesi belg që realizoi për 1-0, njëherit ishte gol i fitores për ekipin vendas.

Kjo ishte fitorja e pestë radhazi e Interit në Serie A, që tanimë e sheh vetën në vendin e dytë me 27 pikë të tubuara, vetëm një pikë më pak se rivali Milan që kryeson renditjen e Serie A.

Ndërkohë Napoli mbetet në vendin e katërt në tabelë me 23 pikë të tubuara.

Takimin e radhës Interi do ta luaj përsëri në shtëpi, ku do të jetë nikoqir i Spezias.

Në anën tjetër Napoli do të ketë një udhëtim tjetër të vështirë, pasi në kryeqytetin italian do të takohet me Lazion. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *