Një hipotezë e bujshme është shfaqur sot në mediat italiane, pasi flitet për një shkëmbim mes “të padëshiruarish” të Interit dhe Arsenalit.
Christian Eriksen dhe Granit Xhaka janë dy emrat të cilët sipas “Corriere Dello Sport”, mund të ndërrojnë fanellat me njëri-tjetrin në janar për të filluar një aventurë të re.
Xhaka është i padëshiruar nga tifozët e Arsenalit, të cilët nuk e kanë kapërdirë atë gjest kundër tyre vitin e kaluar dhe me kartonin e kuq të fundit të futbollistit, i janë kthyer kërkesave për largimin e tij. Trajneri Arteta e ka mbrojtur publikisht por edhe vetë ai nuk duket në pozita të shëndosha në klub ndaj për të qetësuar mërinë e tifozëve, Arsenali është gati të heqë dorë nga Xhaka.
Ndërkaq, Eriksen është i padëshiruar nga trajneri Conte tek Interi, pasi është aktivizuar pak e shpesh vetëm sa për të shtyrë minutat në kronometër. Flitet se ai do të dëshironte të shkonte te PSG, por edhe Arsenali nuk është një opsion që refuzohet, aq më shumë për faktin se kjo skuadër duket se ka në të vërtetë nevojë për një fantazist, që të organizojë lojën.
Ndaj nuk është çudi që në afatin kalimtar të janarit të fillojnë negociatat për këtë këmbim mes lojtarëve, që do të bënte ndryshim rrënjësor në të dy ekipet dhe mënyrën e lojës që praktikojnë.