Kryendeshja e xhiros së fundit për stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll – java e 18-të – do të zhvillohet në kryeqytet.
Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, FC Prishtina është nikoqire e Ballkanit të Suharekës në mesditën e së dielës.
Kryeqytetasit hyjnë në këtë ndeshje pas fitores 0:3 ndaj Gjilanit si mysafir, kurse Ballkani pas fitores 2:0 ndaj Trepçës ’89 në Suharekë.
Ndeshjen në fjalë e ka komentuar edhe mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi i cili ka luajtur deri në verën që lamë pas te FC Prishtina, aty ku edhe ka qenë kapiten.
Thaqi për “Zeri.info” ka thënë e sheh ndeshjen ndaj kryeqytetasve tejet të vështirë, por që synon vetëm rezultat pozitiv.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë ndaj FC Prishtinës në terrenin e saj dhe normalisht që do të jetë e rëndësishme të vazhdojmë me seri pozitive”, ka thënë Thaqi.
Më tej, mbrojtësi i Kosovës tregon se periudha kur ka luajtur me kryeqytetasit është “nder” për të, por që të dielën dëshiron vetëm fitore.
“Ndeshja e radhës për mua vlen tri pikë, si ndaj FC Prishtinës si ndaj çdo skuadre tjetër. Sa kam qenë pjesë e FC Prishtinës dhe kapiten i saj, për mua mbetet nder që kam bartur atë fanellë dhe shiritin e kapitenit të klubit më të madh në vend”, tregoi mbrojtësi i krahut të djathtë.
Megjithatë, me Ballkanin, Thaqi thotë se do ta japë maksimumin.
“Tani jam në Ballkan dhe do ta jap maksimumin që të arrijmë suksese këtë edicion”, përfundoi Armend Thaqi.