Prishtina ka bërë një hap të madh në garën për titull të kampionit, duke mundur Drenicën në “Bajram Aliu”, me rezultat 1-3, në kuadër të javës së 19-të të IPKO Superliga.
Kryeqytetasit u treguan ekip më i mirë se drenicasit, duke marr tri pikë tejet të rëndësishme nga ky udhëtim.
Oto John (13’), Ahmeti (30’) dhe Januzi (54’), shënuan nga një gol për fitoren e Prishtinës, ndërkaq, golin e vetëm për Drenicën e realizoi Coulibaly (80’).
Pas kësaj fitore, Prishtina ka 37 pikë aq sa ka lideri i tabelës, Drita, kurse, Drenica renditet e shtata me 24 pikë.
Fitore tejet të rëndësishme ka shënuar edhe Llapi që në “Zahir Pajaziti” mundi Feronikelin, me rezultat 2-1.
Ymeraj shënoi dygolësh për fitoren e llapjanëve, derisa për skuadrën nga Drenasi golin e vetëm e realizoi Ilir Berisha.