Federata Botërore e Mundjes i ka dërguar sot presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, normën Olimpike për mundësin Egzon Shala.
Shala kishte dalë i shtati në Kampionatin Botëror të mundjes, të mbajtur në Astana të Kazakistanit, në muajin shtator të vitit të kaluar, ndërsa gjashtë të parët ishin kualifikuar në Tokio 2020. Njëri nga kjo gjashtëshe, sipas Federatës Botërore të Mundjes, ka shkelur rregullat e antidopingut.
“I nderuari President. Pas një shkelje të rregullave të antidopingut gjatë Kampionatit të fundit botëror të garuesit Nur Sultan të Kazakistanit, kam kënaqësinë të ju informoj se garuesi juaj, Egzon Shala (kategoria -125 kilogramë), ka fituar një vend kualifikues për Komitetin Olimpik të Kosovës”, thuhet në e-mailin e Michel Dusson, sekretar i përgjithshëm i Federatës Botërore të Mundjes.
Është kjo norma e parë zyrtare e fituar për vendin tonë për Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Brenda normës Olimpike ndodhen edhe pesë xhudistë, të cilët pritet të konfirmohen në muajin maj 2020, kur përfundon cikli kualifikues.
Lojërat Olimpike Tokio 2020, mbahen prej 24 korrik – 9 gusht 2020 në Tokio të Japonisë.