Gani Sejdiu ka konfirmuar interesimin e klubit të Vushtrrisë. Sejdiu do të jetë trajner i Vushtrrisë për tri ndeshjet e fundit të sezonit.
Sejdiu në një prononcim për Insportin ka konfirmuar interesimim e klubit të Vushtrrisë për shërbimet e tij dhe se kanë arritur një marrëveshje afat-shkurte.
“Po, është e vërtetë, interesimi ka qenë edhe më herët, por tash përsëri më kanë telefonouar. Unë aktualisht jam trajner i lirë dhe për shkak të raporteve të shkëlqyera që kam me njerëzit në klub dhe kohës që kam kaluar si trajner aty, kam vendosur t’i ofrojë ndihmën time për këto tri ndeshjet e radhës. Megjithatë, unë jam trajner i lirë në rast se ndonjë klub më ofron kontratë dhe projekt do ta shqyrtojë. Pas largimit të trajnerit Fitim Llapashtica, klubin është duke e udhëhequr Ilir Izamku por ai ende nuk e ka licencën, kështu që unë do ta udhëheqi skuadrën dhe më pastaj do t’iu tregoj se ku duhen të përforcohen në afatin kalimtar”, ka deklaruar Sejdiu.
Gani Sejdiu deri më tani ka qenë trajner i lirë, pas largimit nga klubi i Drenicës sezonin e kaluar.
Në të kaluarën Sejdiu ka qenë trajner i Trepçës, Trepçës ’89, Feronikelit, Ballkanit, Drenicës.
Sejdiu me klubin e Feronikelit ka fituar të gjitha trofetë e Kosovës në futboll.
Vushtrria ditë më parë liroi nga detyra trajnerin Fitim Llapashtica pas një fillimi jo të mirë të sezonit.
Pas dhjetë xhirove të zhvilluara, Vushtrria renditet në pozitën e shtatë me nëntë pikë të grumbulluara në Grupin A të Ligës së Parë.