Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti ka folur para ndeshjes së nesërme (e diel) ndaj Sllovenisë në Lubjanë dhe ka thënë që janë optimist për rezultat pozitiv, përkundër mungesave të shumta dhe lëndimeve.
Kosova luanë nesër në udhëtim te Sllovenia në kuadër të ndeshjes së pestë të Grupit 3 në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Dardanët vijnë në këtë ndeshje pa asnjë gjasë për të siguruar vendin e parë dhe për të ëndërruar një vend në Kupën e Botës 2022.
Megjithatë, sipas trajnerit Muharrem Sahiti, ekipi i Kosovës do të hyjë me vendosmëri në këtë ndeshje dhe me besim për një rezultat pozitiv.
“Nesër e kemi një ndeshje shumë të vështirë ndaj një kundërshtari sikurse Sllovenia që është një skuadër kualitative, pavarësisht nga kjo që është ndeshja e parafundit e Ligës së Kombeve”, ka thënë fillimisht Sahiti në konferencë.
“Në këtë situatë jo normale të pandemisë kemi shumë mungesa të rëndësishme dhe kur kësaj i shtohen edhe lëndimet dhe dënimet që kemi, por kjo nuk do të thotë që ne mos të japim maksimumin nesër”.
“Tjetra që është mjaft e rëndësishme, kemi lojtarë që nuk kanë pasur minutazh të mjaftueshme dhe nuk kemi formë optimale siç kanë qenë vitin e kaluar”.
“E njohim mirë kundërshtarin, kemi punuar shumë për këtë ndeshje dhe nesër do të provojmë të fitojmë, është ndeshje e rëndësishme dhe duam ta shohim reagimin e kundërshtarëve. Nesër besojmë shumë që do të marrim rezultat pozitiv. Besojmë shumë te lojtarët”.
“Mund të ndryshojmë formacionin, por jo dhe mënyrën si luajmë futboll. Do vazhdojmë të luajmë me pasime, posedim të topit dhe të krijojmë raste dhe ta rrezikojmë kundërshtarin”, përfundoi trajneri i Kosovës. /Telegrafi/