Prishtina nesër udhëton në Therandë tek lideri i Superligës, Ballkani i cili i prin tabelës nga 8 ndeshje të zhvilluara me 19 pikë të tubuara. Prishtina renditet e 4-ta me 11 pikë të tubuara dhe një ndeshje më pak të zhvilluar me Dritën.
Të dy skuadrat i hyjnë ndeshjes pas humbjeve të pësuara dhe detyrimisht dy skuadrat janë nën presionin e fitores.
Tek Prishtina do të mungojnë Dellova dhe Abazi i lënduar në ndeshjen me Gjilanin.
Përndryshe duhet theksuar se Ballkani nuk ia ka dalë të mposhtë Prishtinën në tre ndeshjet e fundit duke barazuar dy herë dhe duke u mposhtur në finale të Kupës.
Trajneri i Prishtinës, Zrkirija Ramadani thekson se ndeshja me Ballkanin do të jetë e vështirë, por të gjithë presin fitore, sepse kjo është në filozofinë dhe traditën e skuadrës.
“Lojë të lehtë nuk ka. Të vështira janë të gjitha takimet. Sidomos kur përballesh me një ekip që është në superformë e që ka futbollistë brenda skuadrës që janë në formën më të mirë. Por, jemi munduar t’i shfrytëzojmë në maksimum këto dy ditë që i kishim në dispozicion që të përballemi ashtu siç duhet dhe si na ka hije neve si Prishtinë atje përballë Ballkanit”.
“Normalisht do të fillojnë takimin ata që janë më të përgatitur dhe kemi përballë ekip shumë të mirë, kemi gjyqtarë të mirë, besoj se Dardan Çaka është ndër gjyqtarët më të mirë në Superligë, dhe jam i bindur që do të japim të paktën atë që dhamë në Drenas dhe nëse mundemi të japim diçka më tepër do të jetë shumë më mirë, por më e pakta se ajo në Drenas nuk duhet të jetë asnjëherë”, ka deklaruar Ramadani për faqen zyrtare të Prishtinës.