Drita – Gjilani, përfundon baras pa gola

Derbi i Anamoravës ndërmjet Dritës dhe Gjilanit ka përfunduar baras pa gola.

Derbi i shumë pritur i kësaj xhiro ka zhgënjyer me lojë të dobët e raste të pakta. Skuadra kampione, Drita, ishte diçka më e mirë se sa Gjilani që nuk dhuroi asgjë në këtë derbi.

Në pjesën e parë “Intelektualët” tentuan nëpërmjet Xhevdet Shabanit dhe Ilir Blakçorit, por që tentimet e tyre i ndaloi portieri Ene Koliqi.

Gjyqtari i ndeshjes, Mervan Bejtullahu në pjesën e parë ndëshkoi me kartonë të verdhë, Gramoz Kurtaj të Gjilanit dhe Kastriot Rexhën, për shkak të ndërhyrjeve të ashpra.

Edhe pjesa e dytë filloi me tensione e kartonë të verdhë.

Me të filluar pjesa e dytë, me kartonë të verdhë u ndëshkuan kapiteni i Dritës, Ardian Limani dhe Ivan Fustar i Gjilanit.

Në fund të ndeshjes, futbollistët e Dritës kërkuan penallti por që Bejtullahu nuk mendoi ashtu duke e mbyllur derbin e 33-të të pas luftës pa fitues.

Drita me këtë barazim renditet në pozitën e dytë me dhjetë pikë, me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Gjilani mbetet në pozitën e tretë me nëntë pikë të grumbulluara.

Në xhiron e ardhshme që do të zhvillohet në mesjavë, Drita do të udhëtojë në Thernadë për të zhvilluar derbin me liderin e Superligës Ballkanin, ndërsa Gjilani në shtëpi e pret Trepçën ’89.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *