Kombëtarja Shqiptare vijon në përgatitjet në kompleksin “Tropikal”, në Durrës, përpara duelit me Kazakistanin.
Situata në kampin kuqezi nuk është më e mira e mundshme, pasi shumë futbollistë vazhdojnë të kenë probleme fizike, me trajnerin Edy Reja që duhet të mendojë për ndryshime të mundshme në formacion, në bazë të lojtarëve që do të ketë të gatshëm për lojë.
Jon Mersinaj nuk është stërvitur me grupin për shkak të problemeve muskulore, kështu që mbrojtësi i Lokomotivës së Zagrebit do të kryejë rezonancën magnetike, për të kuptuar më mirë shkallën e dëmtimit.
Vazhdon të ngjallë dyshime gjendja e portierit Thomas Strakosha, i cili nuk është në formën e tij më të mirë. Edhe Kastriot Dermaku, i sapotransferuar te Lecce në Serinë B, nuk është në formën optimale.
Ndryshe nga ajo që u pa një ditë më parë, Amir Abrashi nuk është stërvitur me pjesën tjetër të futbollistëve. E njëjta gjë ndodhi edhe me Myrto Uzunin.
Këtë të mërkurë, tekniku Edy Reja do të provojë skemën sipas së cilës skuadra do të zbresë në fushë përballë Kazakistanit, në transfertë, me 11 tetor, në orën 15:00.