Edinson Cavani ka qenë një nga ata futbollistë të cilët në këto muaj të fundit kanë përjetuar nga afër ankthin e COVID-19. Sulmuesi rezultoi pozitiv ndaj virusit pasi shkoi me pushime në Spanjë dhe kaloi infeksionin e rrezikshëm, fatmirësisht pa pasoja për të dhe familjarët e tij.
Një infeksion i cili shtyu sulmuesin uruguaian të mendonte edhe largimin përgjithmonë nga futbolli, siç tregoi vetë lojtari i cili sapo ka firmosur me Manchester Unitedin.
“Ndodhi pasi mbërritëm në shtëpi nga pushimet në Spanjë. Kemi bërë një test dhe rezultoi negativ, por pastaj e ribëmë përsëri, pasi partnerja ime kishte shfaqur disa prej simptomave. Testi i dytë rezultoi pozitiv për të dy”.
“Përtej dashurisë për futbollin, ishte edhe shëndeti i familjes. Dhe kur dikush është pranë familjes, pranë vendlindjes së tij… mendova që të lija futbollin. Duke pritur që e gjithë kjo të kalonte”, tregoi sulmuesi momentin e dyshimeve rreth të ardhmes së tij, si pasojë e stresit që pësoi pasi mësoi se ishte i infektuar.