Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbajtur seancën e dytë stërvitore para ndeshjes tejet të rëndësishme kundër Maqedonisë së Veriut, e cila zhvillohet të enjten në mbrëmje në Shkup, në kuadër të gjysmëfinales së “play-off”-it për kualifikim në Kampionatin Evropian.
Për dallim nga stërvitja e parë kur munguan disa futbollistë të cilët ishin të angazhuar me ekipet e tyre në ndeshjet e së dielës, gjatë seancës së sotme përzgjedhësi Bernard Challandes kishte në dispozicion të gjithë futbollistët e paraparë për këtë stërvitje.
Atmosfera në kampin e Dardanëve është entuziaste, derisa dëshira për ta kaluar me sukses këtë sfidë është e madhe.
Në stërvitjen e sotme lojtarët punuan me përkushtim në zbatimin e skemave dhe filozofisë së lojës nga përzgjedhësi Challandes, derisa Herolind Shala dhe Fidan Aliti u deklaruan optimistë për sukses, derisa kërkuan mbështetje dhe pozitivitet nga të gjithë, derisa u premtuan tifozëve dardanë se do ta japin maksimumin në ndeshjen e së enjtes. Kombëtarja nesër në mëngjes niset për në Shkup ku do ta kryejë stërvitjen e fundit para ndeshjes së shumë pritur.