Boksieri britanik Tyson Fury, kampion bote në peshën e rëndë (WBC) ka ftuar patriotin e tij Anthony Joshua (mban titujt IBF, WBA dhe WBO) të duelojnë mes tyre në dhjetor të këtij viti. Sipas Fury, patrioti i tij është rivali i përshtatshëm në rast se Deontay Wilder tërhiqet nga triologjia e parashikuar për në dhjetor.
Në fakt, Fury është përgatitur gjatë gjithë kësaj periudhe për t’u përballur me Wilder, por ka shumë gjasa që kjo sfidë të mos zhvillohet për arsye të ndryshme.
Për këtë arsye, sfida mes Fury dhe Joshua do të unifikonte titujt kampionë të peshës së rëndë dhe do të realizohej ëndrra e britanikëve për t’i parë në ring dy kampionët.
“Unë do të dueloj me çdo kusht në dhjetor në Las Vegas, ndaj Deontay Wilder apo kujtdo rivali tjetër. Ua kam bërë të qartë të gjithëve, nëse nuk do të kem mundësi të dueloj në Amerikë, atëherë do të mbroj titullin në Angli. Për mua nuk ka rëndësi nëse sfida zhvillohet pa tifozë”, tha Fury.
“Ftoj Anthony Joshua të rritet pak dhe të ngjitet në ring për të dueluar me mua në dhjetor në rast se nuk zhvillohet dueli me Wilder. Unë jam gati të ngjitem në ring dhe ta shkatërroj Joshuan”, tha Fury. Problem do të jetë Kubrat Pulev, i mandatuar nga WBO të përballet me Joshua po në dhjetor.