Thaqi paralajmëron Gjilanin: Nesër vetëm për fitore!

Te Ballkani e kanë parasysh se i pret një ndeshje e vështirë në udhëtim te Gjilani. Por ekipi i drejtuar nga trajneri Ismet Munishi do të udhëtojë për fitore në mënyrë që ta mbajë ritmin e fillimit të këtij edicioni.

Kështu të paktën ka insistuar të premten mbrojtësi i krahut të djathtë të Ballkanit, Armend Thaqi. Ndeshja mes Gjilanit dhe Ballkanit zhvillohet të dielën (13:30) dhe i takon xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në futboll, transmeton KOHA.

Pas dy xhirove të luajtura Ballkani ka tubuar gjashtë pikë derisa Gjilani ka tri më pak. Derbi është dueli i vetëm që do të zhvillohet të dielën. Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Dritës është shtyrë për një termin tjetër shkaku i angazhimeve të kampiones së Kosovës në Ligën e Evropës, garë në të cilën u eliminua të enjten mbrëma në raundin e tretë kualifikues.

“Na pret një udhëtim shumë i vështirë dhe njëkohësisht një përballje e zjarrtë në Gjilan, por ne jemi të përgatitur mirë dhe të motivuar për të vazhduar me serinë pozitive që e kemi në dy ndeshjet e para, sepse duam ta mbajmë këtë ritëm. Do të luftojmë deri në fund dhe do të japim maksimumin për rezultat pozitiv, gjë që besoj se është e arritshme për ne”, është shprehur Thaqi.

“Është derbi dhe pres të tregojmë një lojë të bukur siç e kemi bërë këtë edicion. Megjithatë nuk do të jetë lehtë për shkak se Gjilani ka një ekip të fortë. Ne do t’i qasemi ndeshjes me mentalitet fituesi, pra për rezultat pozitiv ashtu siç futemi në çdo takim tjetër”.

Ballkani në xhiron e parë e mposhti Besën me rezultatin 4:1, kurse në të dytën fitoi derbin me Feronikelin, 3:2.

Gjilani startin në edicionin e ri e pati shumë të dobët. Në ndeshjen e parë pësoi humbje të thellë në udhëtim nga Feronikeli (4:0). Por fitorja si mysafir ndaj Llapit (1:0) ka dhënë shpresa për një rezultat pozitiv edhe ndaj Ballkanit, në ndeshjen e parë si vendas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *