Aston Villa ka blerë sulmues në vend të Rashicës, por një tjetër skuadër angleze tenton transferimin e tij

Milot Rashica vazhdon ta ketë të paqartë të ardhmen e tij, përkundër se ka qenë njëri nga emrat më të përfolur në tregun e transferimeve.

Ylli kosovar bëri një sezon të mirë me skuadrën gjermane Werder Bremen dhe u bë objektiv i shumë ekipeve të ndryshme evropiane.

Napoli, Milan, Borussia Dortmund, Hertha Berlin, Schalke 04,RB Leipzig, Liverpool, Aston Villa, West Ham United, Monaco, Benfica e Brighton të gjitha këto skuadra janë përfolur për Rashicën.

Megjithatë asnjëra nuk ka arritur të bëjë ofertë të kënaqshme për Werderin dhe Rashica vazhdon të jetë pjesë e kësaj skuadre.

Së fundmi në garë fuqishëm ishte Aston Villa, por klubi anglez ka transferuar për 18 milionë funte sulmuesin Bertrand Traore nga Lyon.

Villa duket se është tërhequr nga gara për Rashicën, por është raportuar se një tjetër skuadër angleze është futur fuqishëm në garë për yllin e Kosovës.

Skuadra e rikthyer në elitën e futbollit anglez, Leeds United ka nisur bisedimet me Werderin për transferimin e ‘Raketës kosovare’.

Mediat angleze dhe ato gjermane kanë raportuar se Leeds Untied është gati të shpenzojë deri në 20 milionë euro për Rashicën.

Werder nga ana tjetër kërkonte 25 milionë euro për lojtarin, por duke parë që afati kalimtar për transferime po shkon drejt fundit, atëherë klubi gjerman mund të ulë pretendimet financiare.

Rashica është gati të largohet, pasi reprezentuesi kosovar dëshiron të luaj në Ligën Premier dhe për të Leeds është një mundësi e madhe, duke parë se aty mund të luaj rregullisht.

Gjithsesi gjatë kësaj jave pritet të ketë diçka më konkrete rreth situatës së kosovarit, pasi hipoteza e Aston Villës duket se ka rënë në ujë, pasi klubi nga Villa Park nuk do të bëjë më ofertë për Rashicën.

24-vjeçari ishte ofertuar edhe nga RB Leipzig, por gjysmëfinalistët e Ligës së Kampionëve kishin ofruar vetëm 15 milionë euro për të, ofertë që ishte refuzuar nga Werderi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *