Berat Gjimshiti ka kërkuar ndihmën e tifozëve me anë të një postimi të bërë në “Instagram”.
Një person i panjohur, të cilin mbrojtësi i kombëtares kuqezi dhe Atalantës e cilëson psikopat, ka hapur një adresë false në emër të tij.
Me mesazhet dhe komentet e bëra ka lënduar shumë persona, ndaj të cilëve hiqej si Gjimshiti.
Mbrojtësi 27-vjeçar nga Lugina e Preshevës, i fton të gjithë t’i bëjnë report profilit në “Facebook”, veprim që do të sjellë mbylljen e tij.
“Miq të dashur, ju lutem bëjini report kësaj adrese, ose mos e ndiqni më.
Është një profil fals. E ka krijuar një psikopat, i cili ka përdorur identitetin tim prej muajsh. Po ju kërkoj të gjithëve t’i bëni report. Duhet ta frenojmë, pasi ka lënduar shumë njerëz. Faleminderit për ndihmën tuaj“, shkruan Berat Gjimshiti.