Drita ka arritur ta shkruaj historinë e futbollit kosovar, pasi bëhet skuadra e parë nga vendi ynë që luan në rrethin e tretë të Ligës së Evropës.
Gjilanasit kanë arritur triumf të madh në udhëtim te Sileksi në Maqedoninë e Veriut.
Kampioni kosovar triumfoi me rezultat të pastër 0-2, në një ndeshje të dominuar gjatë 90 minutave.
E pas ndeshjes trajneri Nuhiu ka thënë se është i lumtur me fitoren, teksa atë ia dedikon tifozëve Intelektualëve.
“Jam shumë i lumtur për fitoren. Normalisht që kisha njohuri për ekipin kundërshtar, por lojtarët ishin ata që e kryen punën”, deklaroi Nuhiu.
“Në pjesën e parë nuk arritëm të dalim në lojën tonë, ndërsa në pjesën e dytë lojtarët e morën veten dhe arritëm rezultatin që deshëm”.
“I uroj futbollistët për angazhimin dhe këtë fitore ua dedikojmë Intelektualëve”, shtoi ai.
Në raundin e tretë të Ligës së Evropës, Drita luan me gjigantin polak Legia Varshavë.