Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave në futboll i ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës kualifikuese kundër Estonisë. Dardanet janë grumbulluar dje në hotel “Venus”, derisa sot kanë kryer dy seanca stërvitore në stadiumin “Agron Rama” nën drejtimin e përzgjedhëses Afërdita Fazlija dhe asistentëve Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli. Për dallim nga herët e kaluara, kësaj radhe për shkak të pandemisë, Kombëtarja në duel me estonet do të hyjë me futbolliste të klubeve të Superligës, me përjashtim të Erëleta Memetit dhe Edona Kastratit që iu kanë bashkëngjitur ekipit gjatë ditës së sotme. Ndonëse me një grup të ri të futbollisteve dhe me forca nga kampionati vendor optimizmi për sukses nuk mungon. Entuziazmi, vullneti dhe dëshira për paraqitje sa më dinjitoze vërehet te secila prej lojtareve të grumbulluara, por brengë mbetet forma fizike, duke pasur parasysh se aktiviteti i futbollit të femrave në Kosovë është ndërprerë që një kohë të gjatë për shkak të pandemisë. Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Estonisë do të zhvillohet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Deklaruan pas stërvitjes:
Afërdita Fazlija: Për këtë grumbullim kemi pasur shumë peripeci, ngase kemi qenë të kufizuar vetëm në lojtare nga kampionati vendor. Madje, është dashur që edhe para grumbullimit t’i bëjmë testet për Covid-19 dhe realisht deri pas daljes së rezultateve nuk kemi qenë të sigurt se cilat lojtare do t’i kemi në dispozicion. Prandaj, ky grumbullim nuk ka dallim prej jetës aktuale që po e kalojmë gjithsecili prej nesh si pasojë e pandemisë. Jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në botë pandemia e ka prekur më shumë futbollin e femrave. Përveç lojtareve të Mitrovicës që kanë stërvitur në grup, lojtaret e tjera janë përpjekur ta mbajnë formën e tyre vetëm me stërvitje individuale, prandaj ajo që më brengos më shumë është se sa do të arrijmë të jemi në nivelin e duhur fizikisht. Estonia është një ekip solid dhe që ka përvojë shumë më të gjatë se ne, por ne nuk do të jemi indiferent dhe do të hyjmë për fitore. Prej sot optimizmi është edhe më i madh, ngase na janë bashkuar Erëleta Mehmeti dhe Edona Kastrati.
Erëleta Mehmeti: Ndeshjen e parë në Estoni e kemi fituar 2:1. Besoj se edhe këtë herë do të fitojmë, edhe pse do të na mungojnë shumë lojtare. Personalisht jam e lumtur që ia dola t’i bashkohem ekipit, ndonëse me shumë vështirësi për shkak të pandemisë. Tani na mbetet që të punojmë në stërvitje sa më shumë dhe të shfaqemi ekip sa më kompakt gjatë lojës.
Edon Kryeziu: Ndeshjen e parë kundër Estonisë e kemi fituar edhe pse me mjaft vështirësi. Tani situata është më ndryshe sepse luajmë me lojtare vendore, por do të mundohemi maksimalisht për të fituar. Sigurisht se nuk do të jetë aspak e lehtë për t’ia arritur këtij qëllimi sepse kemi mungesa të shumta dhe po ashtu edhe disa prej lojtareve nuk kanë zhvilluar kohë të gjatë ndeshje dhe as stërvitje në grup. Sidoqoftë, tek secila prej nesh ka optimizëm dhe do të bëjmë çmos për ta mbyllur suksesshëm këtë ndeshje.
Donjeta Halilaj: Stërvitjet po shkojnë shumë mirë, derisa optimizmi për sukses është i madh. Ndonëse po thuajse i gjithë ekipi do të jetë më lojtare nga kampionati vendor, kam besim se angazhimi do të jetë maksimal nga të gjitha lojtaret që do t’u jepet mundësia për lojë. Tash mbetet që ta përgatisim lojën sa më mirë gjatë dy ditëve të ardhshme dhe pastaj fusha e lojës të dëshmojë nëse do t’ia dalim që edhe me këtë fond të lojtareve të arrijmë fitore.
Lista e futbollisteve
Florentina Kolgeci (KFF Mitrovica)
Lavdije Behrami (KFF Vllaznia)
Delvina Durmishi (KFF A&N)
Albulena Fejza (KFF Mitrovica)
Liridona Syla (KFF Mitrovica)
Edona Kryeziu (KFF Mitrovica)
Donjeta Halilaj (KFF Mitrovica)
Marigonë Tahiri (KFF Mitrovica)
Herolinda Zyba (KFF A&N)
Agnesa Gashi (KFF A&N)
Blerta Shala (KFF Mitrovica)
Verona Berisha (KFF A&N)
Fortesa Berisha (KFF Malisheva)
Erjona Emërllahu (KFF A&N)
Fatlinda Ramaj (KFF A&N)
Qendresa Bajra (KFF Mitrovica)
Feride Kastrati (KFF Apollonia)
Edona Kastrati (Lady Granata Cittadella)
Erëleta Memeti (SC Freiburg)
Fleta Musaj (KFF A&N)
Anjeza Rexhepi (KFF A&N)
Kaltrina Biçkaj (KFF Mitrovica)
Lumbardha Misini (KFF Vizioni)
Shkurte Zeqiri (KFF A&N)