Trajneri i Marseille, Andre Villas-Boas, nuk është kursyer kundër trajnerit të PSG-së, Thomas Tuchel, në konferencën për shtyp të dhënë pas ndeshjes së fituar 1-0 nga skuadra e tij kundër kampionëve të Francës.
Duke folur për përplasjen që kanë pasur dy trajnerët gjatë ndeshjes së Ligue 1, Villas-Boas ka thënë:
“Kanë qenë fyerje normale. Të tipit ‘Je një m…’. ‘Jo, ti je një m…’. Ai më ka thënë se mbrëmjen e sotme (djeshme) kam fituar lotarinë, unë i kam thënë se ai e fitoi kundër Atalantas”.
“Kam shumë respekt për atë dhe për punën e tij. Natyrisht, PSG pret të fitojë Championsin një ditë. Nuk mund të investosh një miliard e gjysmë euro dhe të mos fitosh Champions League”, tha ai duke thumbuar ekipin parisien.
“Ancelotti ka qenë këtu dhe tani drejton Evertonin, Emery ka qenë këtu dhe tani drejton Villarrealin. Championsi është i vështirë”.