Liga Unike – flasin ikonat e basketbollit

Liga Unike e basketbollit me skuadra të Shqipërisë dhe Kosovës tashmë është zyrtarizuar, hap ky të cilin e kanë mirëpritur jo vetëm dashamirët e basketbollit, sportit në përgjithësi, por gjithsesi edhe të gjithë shqiptarët.

Marrëveshja është nënshkruar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), Avni Ponari dhe kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.

Dy basketbollistët që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në Shqipëri dhe Kosovë, Samir Shaptahun dhe Bledar Gjeçajn të dy janë shprehur të kënaqur me këtë hap.

Shaptahu, i cili pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar duke luajtur në Kosovë, por që ishte anëtar i Kombëtares shqiptare, vlerëson se kjo ligë do të jetë e dobishme për disa arsye.

“Unë kam qenë gjithmonë për krijimin e Ligës së përbashkët Shqipëri – Kosovë. Kam luajtur më tepër se 12 vjet në Kosovë, ndërsa për 7 vjet me radhë kam qenë pjesë e Kombëtares shqiptare”, ka thënë ish-plejmejkeri nga Mali i Zi, i cili tashmë jeton në SHBA.
“Kjo ligë është e mirëseardhur për shumë arsye. Do të ketë më shumë hapësirë për lojtarët vendorë, do të dalin në pah më tepër basketbollistë të rinj, si dhe do të ketë më tepër interesim për basketboll, sidomos në këtë kohë pandemie”, ka shtuar Shaptahu

Ai ka theksuar se nuk ka dyshuar asnjëherë që kryetari i FBK-së, Arben Fetahu me stafin e tij do të punojë me përkushtim deri në jetësimin e idesë për Ligën Unike.

Një tjetër ikonë e basketbollit shqiptar pa dyshim është shkodrani Bledar Gjeçaj, i cili njëjtë sikur Shaptahu, ka bërë karrierë edhe në Kosovë.

Gjeçaj thekson se Liga Unike është hap i qëlluar, megjithëse i vonuar.

“Sigurisht që Liga Unike është një hap i mirëseardhur për basketbollin shqiptar. Megjithatë, mendoj se ky hap është dashur të merret shumë më herët, ndërsa tani nuk ka qenë momenti i duhur”, është shprehur Gjeçaj.

Ai ka theksuar edhe arsyet për të cilat mendon se mund të ndikojnë në cilësinë e kësaj lige, e cila do të përbëhet nga katër skuadra të Shqipërisë dhe po aq të Kosovës.

“Mendoj se momenti aktual nuk i shkon për shtati fillimit të kësaj lige. Për shembull në Shkodër ka 6 muaj që nuk është apur palestra. Basketbolli në Shqipëri nuk është aspak në gjendje të mirë. Pastaj, roblem shumë serioz mund të jetë aspekti financiar”, ka shtuar ish-anëtari i Kombëtares shqiptare, i cili, megjithatë, e vlerëson pozitivisht krijimin e Ligës Unike./Objektiv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *