Sezoni i ri në Superligën e Kosovës në futboll ishte paraparë të fillonte me 12 shtator.
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës në fund të muajit qershor kishte vendosur që sezoni i ri, 2020/2021 në Superligën e Futbollit të fillonte me datën 12 shtator.
Por, në një takim të zhvilluar dy ditë më parë mes krerëve të FFK-së dhe zyrtarëve të IKSHPK-së, u vendos për shtyrjen e fillimit të edicionit të ri për një javë.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në një pronocim të dhënë për Insportin, konfirmoi vendimin për rikthimin e Superligës javën e ardhshme, ku theksoi faktin që FFK është në koordinimin të vazhdueshëm me Ministrinë e Sportit dhe atë të Shëndetësisë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë në futboll.
“Nëse nuk ka ndryshim të situatës me pandemi, atëherë në fundjavën e ardhshme rikthehet Superliga e futbollit në Kosovë. Sezoni i ri i futbollit do të fillojë me 99% në fundjavën e ardhshme” – u shpreh ai.
“Federata është në kontakt të vazhdueshëm me Minstrinë e Sportit dhe atë të Shëndetësisë. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet profesionale për fillimin e edicionit të ri” – përfundoi ai.
Gjatë ditës së djeshme u zhvillua takimi mes zyrtarëve të federatës me përfaqësuesit e klubeve të Superligës, ku FFK shprehu gatishmërinë për t’i ndihmuar klubet pas problemeve të mëdha që janë krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Kujtojmë që këtë sezon do të këtë ndryshime në formatin e Superligës, ku gara do të zhvillohet me 10 ekipe me synim që kampionati të shënojë ngritje të kualitetit.