Portieri kosovar, Betim Halimi, ka dhënë një intervistë të shkurtër për Sporti.info, duke folur mbi mungesën e ftesës nga Bernard Challandes, dy ndeshjet e fundit të Kosovës, ndeshjet e ardhshme (të tetorit) si dhe planet e tij për të ardhmen.
Anëtari i Olimpik Donetsk ka pasur së fundmi disa probleme me një lëndim, lëndim ky që ia mohoi edhe grumbullimin me kombëtaren gjatë muajit janar, atëherë kur ai pranonte ftesën nga FFK.
Gjithsesi, konsistenca e tij në formë edhe pas rikthimit nga lëndimi, paraqitjet e mira me Olimpik Donetsk dhe mungesa e minutave nga portierët tjerë të kombëtares kanë bërë që debati mbi atë se kush duhet ftuar te Kosova të rritet.
Paraqitjet e mira të Halimit u panë edhe ndaj Shakhtar Donetsk në miqësoren parasezonale në Ukrainë, pak ditë më parë. Pritjet spektakolare zgjuan edhe më shumë vëmendje. ‘Sporti.info’ e ka kontaktuar portierin Halimi menjëherë pas kësaj ndeshj për t’i shtruar disa pyetje, me fokusin e veçantë te ftesa nga kombëtarja e Kosovës.
Më poshtë mund ta shihni intervistën e plotë me Betim Halimin:
Pas lëndimit të pësuar, a ndiheni 100% i gatshëm per sezonin e ri dhe a jeni gati për pozitën e titullarit tek Olimpik Donetsk?
Halimi: “Po, tani jam gati 100% dhe nuk kam probleme me lëndimin. Jam në pritje të më jepet rasti në sezonin e ri dhe t’i dëshmoj vlerat e mia, për t’u kthyer në titullar të padiskutueshëm.”
A e keni përcjell Kosovën në dy ndeshjet e shtatorit? Si i vlerësoni dy paraqitjet e kombëtares?
Halimi: “Po, i kam parë dy ndeshjet e fundit të Kosovës. Nuk ishte Kosova që jemi mësuar ta shohim së fundmi, por duhet ta kuptojmë që kishin mungesa të mëdha. Edhe ndeshja pa shikues bëri të veten, pasi e dimë të gjithë se Kosova si armë më të fortën ka tifozërinë e Dardanëve.”
Si e komentoni mungesën e ftesës te Kosova, në kohën kur portierët e ftuar vuajnë për minutat te skuadrat e tyre?
Halimi: “Thënë të drejtën, për mua nuk është tragjike nëse nuk ftohem te Kosova, pasi unë asnjëherë nuk do të caktojë kushte/ultimatume për vendin tim. Nëse Kosova ka nevojë për mua, unë jam aty, dera është gjithmonë e hapur.”
Në tetor Kosova zhvillon tri ndeshje. A prisni një ftesë nga selektori Challandes?
Halimi: “Momentalisht fokusi im qëndron në ndeshjet me skuadrën. Ato fillojnë në shtator. Unë shpresoj të kem paraqitje sa më të mira gjatë këtij muaji, pastaj, nëse tregoj formën e duhur, edhe ftesa do të vjen vet”.
A planifikoni që të ndërroni skuadër së shpejti dhe a jeni në kontakt me ndonjë skuadër evropiane?
Halimi: “Unë kam disa oferta mbi tavolinë. Nuk ka diçka përfundimtare, gjithçka do të vendoset në ditët në vazhdim. Jam duke parë si po ecin gjërat”.