‘Publikohet’ oferta e Manchester Cityt drejtuar Barcelonës për Lionel Messin

Pas letrës së dërguar me faks nga Lionel Messi te klubi i Barcelonës, që pastaj u zbulua nga mediat, tani një tjetër letër ka filluar të qarkullojë, ku shihet oferta e Manchester Cityt drejtuar argjentinasit.

Kur u mësua se Messi kishte kërkuar largimin nga Barcelona, shumë klube u përmenden si destinacione të mundshme për yllin argjentinas.

Manchester City shihej si klubi që qëndronte në “pole position”, por pastaj 33-vjeçari do të qëndrojë në “Camp Nou”.

Argjentinasi ka ushtruar këtë të mërkurë me pjesën tjetër të shokëve të skuadrës në qendrën stërvitore të klubit dhe ka thënë se është i përkushtuar për klubin edhe këtë vit.

Por të kthehemi edhe një herë në fillim, kur Messi kërkonte të largohej, ndërsa Manchester City kishte ofertën gati për të dhe për Barcelonën.

Edhe pse Barcelona kërkonte 700 milionë euro, aq sa shkruan në klauzolën e tij, anglezët kanë pasur një tentim, që mbeti i tillë.

Mediumi zviceran “L’Illustré” publikoi të mërkurën një ofertë, që skuadra angleze do t’ia kishte paraqitur Barçës, e nënshkruar nga drejtori sportiv Txiki Begiristain.

Oferta në fjalë ishte në vlerën e 200 milionë eurove, që do të paguheshin në dy këste (nga 100 milionë euro), ndërsa në formë bonusi ishin 20 milionë eurove nëse Leo Messi do të fitonte Ligën e Kampionëve me anglezët.

Kjo letër nuk ka lënë pa shkaktuar zhurmë, ndërsa sipas “Mundo Deportivo”, drejtuesit e klubit nga “Etihad” thanë se nuk kishin bërë ofertë për lojtarin.

Kjo pasi nuk ishin në gjendje të përballeshin me një operacion të kësaj madhësie këtë verë, kur të gjitha klubet po vuajnë nga kriza ekonomike shkaku i pandemisë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *