Krasniqi, e cila në këtë kompeticion garoi në kategorinë -52 kilogramë, ku zakonisht garon Majlinda Kelmendi, arriti të linte nën hije mungesën e ‘mbretëreshës’.
Raundin e parë, Krasniqi e kaloi pa kundërshtare, kurse në raundin e dytë dhe ndeshjen e saj të parë në këtë ditë të madhe, ajo mposhti algjerianen Faiza Aissahine.
Në raundin e tretë, Krasniqi mposhti francezën Penelope Bonna, për të dalur fituese e ‘Pool A’, shkruan lajmi.net.
Shkëlqimi i xhudistes kosovare vazhdoi edhe në gjysmëfinale, kur ajo pati përballë xhudisten nga Brazili, Sarah Menezes, me fitoren ndaj të cilës siguroi biletën për finale, ku e takonte Odette Giuffridan.
As xhudistja nga Italia nuk ishte e aftë për ta ndalur luaneshën kosovare, e cila sot kishte një mision të qartë – medaljen e artë. Distria arriti të fitonte në këtë finale, për të shtuar një medalje ari më shumë në të arriturat e saj dhe Kosovës, si dhe për të grumbulluar pikë të vlefshme olimpike.
Trajneri Driton ‘Toni’ Kuka sigurisht se duhet të jetë shumë i kënaqur me paraqitjen e Distrias, por edhe me punën e tij të jashtëzakonshme me xhudistet tona.