Bayern Muncheni triumfoi në Ligën e Kampionëve këtë edicion, duke e fituar për herë të 6 në histori këtë kompeticion, por më shumë sesa për trofeu, do të mbahet mend për fitoren e bujshme 8-2 ndaj Barcelonës në sfidën çerekfinale.
Humbja e turpshme e katalanëve dhe njëkohësisht eliminimi, bënë që sezoni të mbyllej pa asnjë trofe, ndërsa pasojat ishin vërtetë të rënda, pasi pak ditë më vonë ylli i skuadrës Lionel Messi kërkoi largimin nga skuadra dhe çështja është ende pezull.
Por fantazisti gjerman i Bayernit, Thomas Muller, në një intervistë të dhënë për mediat bavareze ka treguar se e kishte parandjerë suksesin që në momentin e nxehjes para ndeshjes, kur kishte parë futbollistët e Barcelonës shumë të relaksuar.
“Ata dolën në nxehje 10 minuta pas nesh dhe ishin shumë të relaksuar. Ndoshta nuk ishte ky faktori që ndikoi në rezultat, por është një tregues i qartë i dëshirës që ne kishim për të bërë mirë atë mbrëmje. Më pas për pjesën tjetër kishte menduar trajneri ynë Hansi Flick, që kishte studiuar ndeshjen në perfeksion”, deklaroi Muller, i cili shënoi dy herë atë mbrëmje.