APOEL Nicosia arrin në Prishtinë, kjo është agjenda e qipriotëve

Skuadra qipriote APOEL Nicosia ka ateruar në Prishtinë në mesditë, teksa futbollistët dhe stafi i këtij klubi janë nisur menjëherë drejt njërit nga hotelet e kryeqytetit, atje ku do të qëndrojnë deri të enjtën mbrëma.
Ekipi i trajnerit Marinos Ouzounidis do të vendoset fillimisht të pushojë në hotel, ndërkohë pasditja e së mërkurës (26 gusht) është e ngarkuar me aktivitete për ta.

Tekniku grek dhe njëri nga futbollistët e ekipit do të paraqiten në konferencë për shtyp me fillim nga ora 18:15, ndërkohë 15 minuta më vonë do të realizojnë edhe seancën e fundit stërvitore në “Fadil Vokrri” para duelit ndaj SC Gjilanit.
Me ekipin nuk ka udhëtuar mbrojtësi serb Vujadin Savic, i cili ndodhej në izolim prej ditësh, teksa kishte deklaruar se njëra nga arsyet e mos këtij udhëtimi ishte edhe fakti që ai nuk e njeh Kosovën si shtet.

Kujtojmë që takimi ndërmjet Gjilanit dhe APOEL Nicosia do të zhvillohet të enjten me fillim nga ora 19:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *