Interi ka kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Evropës pas fitores 2-1 ndaj Bayer Leverkusenit.
Pas vetëm 15 minutash lojë, Nerazzurët kaluan në epërsi me anë të Nicolo Barellas që shënoi një gol të bukur.
Interi nuk u ndal me kaq dhe arriti që të dyfishonte epërsinë me anë të Romelu Lukakut (21’), që u asistua nga Ashley Young.
Por, Leverkusen arriti që të këndellej nga këto dy gola të pranuara dhe e ngushtoi epërsinë e skuadrës italiane me anë të Kai Havertz që shënoi në minutën e 24-të nga një asistim i Kevin Volland.
Pjesa e parë përfundoi me këto tri gola të shënuara, derisa në të dytën Interi shpërdoroi shumë raste.
Fillimisht ishte Ricardo Gagliardini që shpërdoroi dy raste të sigurta për gol, derisa në njërin prej tyre u penua nga sulmuesi belg.
Edhe Lukaku kishte shansin që të shënonte golin e tretë dhe të dytin personal në këtë takim, mirëpo ishte i pafat.
Para portierit të Leverkusenit doli edhe Alexis Sanchez, mirëpo goditja e tij u ndalua, duke bërë që rezultati të ishte i pandryshuar nga ai i pjesës së parë.
Por, kjo fitore i mjaftoi Interit që të kalonte në gjysmëfinale, derisa aty do të takohet me fituesin e duelit tjetër Shakhtar Donetsk – Basel. /Telegrafi/